Blog

Pneumonia - Çfarë është? Simptomat! Parandalimi! Trajtimi!

Pneumonia lightbox[Pneumoniaalb]Pneumonia

 

Pneumonia është një inflamacion i një ose të dyja mushkërive, i cili zakonisht shkaktohet nga:

  • një infeksion viral (të tilla si viruset e gripit);
  • një infeksion bakteror (më i zakonshmi është Streptococcus pneumoniae); mikroorganizmave të tjera (myku);
  • disa barna;
  • sëmundjet autoimune.

Ky inflamacion shkakton mbushje të alveolave të mushkërive me fluid (lëng), duke vështirësuar funksionimin e tyre.

Në dimër, numri i rasteve të pneumonisë rritet. Kjo për shkak se infeksione të tilla si gripi janë më të zakonshme në stinën e dimrit dhe përhapen shpejt nga personi në person. Gripi ulë sistemin imunitar, duke rritur rrezikun pneumonisë.

 

 

 

 

Simptomat më të zakonshme të pneumonisë janë:

  • Kollë me mukus (sputum) nga mushkëritë, i cili mund të jetë me ngjyrë ndryshku, jeshile ose me njolla gjaku);
  • Temperaturë;
  • Frymëmarrje të shpejtë dhe mbajtje të frymës;
  • Të dridhura "kërcitje të dhëmbëve", ethe;
  • Dhimbje në kraharor, e cila ndjehet më shumë kur kollitesh ose kur mbushesh me frymë ;
  • Rrahje të shpejtë të zemrës;
  • Lodhje ose dobësi trupore;
  • Nauze dhe të vjella;

 

Ekzistojnë disa hapa që mund të ndërmerren për të parandaluar pneumoninë.

  • Të lihet pirja e duhanit (Duhanpirësit janë më të predispozuar për pneumoni)
  • Të shmangen njerëzit që kanë infeksione që ndonjëherë çojnë në pneumoni, të tilla si gripi, ftohje apo infeksione të tjera të traktit respirator.
  • Të shmangen njerëzit e infektuar me fruth ose me linë e dhenve, nëse jeni vaksinuar kundër këtyre sëmundjeve.
  • Të lani duart shpesh (Kjo ndihmon në parandalimin e përhapjes së viruseve dhe baktereve që mund të shkaktojnë pneumoni).

 

Trajtimi i pneumonisë kërkon një terapi me antibiotik, rregjim, analgjezikë të zakonshëm dhe lëngje sa më shumë. Megjithatë, të moshuarit, ose pacientet me komplikacione të konsiderueshme të frymëmarrjes, kërkojnë kujdes më të avancuar. Në qoftë se simptomat përkeqësohen apo ndodhin komplikacione ose nëse pneumonia nuk përmirësohet me trajtim në shtëpi, është i nevojshëm shtrimi në spital. Antibiotikët si amoksicilina, doksiciklina (Doxyderma), klaritromicina, azitromicina (Zitara) ose eritromicina (Eritromicine) përdoren për të trajtuar pneumoninë bakteriale. Zgjedhja e antibiotikëve varet fillimisht nga karakteristikat e pacientit të infektuar, të tilla si mosha, gjendja shëndetësore, dhe vatra e infeksionit.

Antibiotikët tipike nuk përdoren për trajtimin e pneumonisë virale, megjithatë, mjeku mund të rekomandojë barna antivirale. Pneumonia virale zakonisht përmirësohet pas 1 deri në 3 javë.

 

Mënyra më e mirë për të mbajtur një trup të shëndetshëm edhe gjatë stinës së ftohtë të dimrit

 

I ftohti dimëror, lëvizjet e kufizuara dhe qendrimi në vende të hapura janë shkak për depresionin dimëror.

Ecja çdo ditë 30 minuta çliron në çast gjithë energjitë negative dhe i shndërron ato në energji pozitive.

Aktivitetet jashtë kanë përparësi të mrekullueshme shëndetësore gjatë dimrit. Hulumtimet shkencore japin fakte kyçe që vertëtojnë rritjen e disponibilitetit dhe produktivitetit nga aktivitetet dimërore.

Drita natyrore dhe ajri i ftohtë e i freskët forcojnë qarkullimin e gjakut dhe sistemin imunologjik si dhe përmirësojnë shëndetin fizik, shëndetin emocional dhe shpirtëror.

Ajri i ftohtë balancon hormonet dhe ndihmon në humbjen e kilogrameve që janë të domosdoshme në forcimin e zemrës dhe sistemit respirator; shpejton metabolizmin, sepse trupi shpenzon energji shtesë për tu ngrohur e për t’iu përshtatur temperaturës.

Mos harroni organizimet familjare dhe miqësorë, të cilat përfshijnë gjuajtjen me topa bore dhe rrëshqitjen me ski, përfundojnë me kënaqësi pijesh të nxehta të cilat ngrohin trupin dhe shpirtin, sepse janë përjetime që lënë gjurmë në kujtesë dhe mbahen mend gjatë.

 

Share this  

 

 

Çfarë është kryqi jeshil? Ndryshimi midis kryqit jeshil dhe kryqit të kuq !

Empty title lightbox[kryqi]Empty title

 

Të gjithë e dimë se Kryqi Jeshil është një simbol me të cilin kryesisht identifikojmë farmacitë,por të pakët  janë ata që e dinë domethënien e këtij simboli.

Cfarë është Kryqi Jeshil?

Ndryshimi midis Kryqit Jeshil dhe Kryqit të Kuq.

 

Kryqi Jeshil është simbol i natyrës dhe jetës. Të përfaqësosh jetën në një kuptim shpirtëror nuk ka asnjë ngjyrë më të përshtatshëm se e jeshilja. Në përgjithësi, kryqi jeshil ka një kuptim laik dhe përdoret kryesisht tek kujdesi shëndetësor. Në veçanti, kryqi jeshil përfaqëson ndihmën e parë.

Kryqi i Kuq i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është një emblemë e mbrojtura nga konventa e Aktit të Gjenevës dhe nuk mund të përdoret pa leje. Në kundërshtim me besimin popullor, Kryqi i Kuq nuk është një simbol i Ndihmës së Parë.

Organizata Ndërkombëtare e Standardeve rekomandon një kryq të bardhë në sfond jeshil për tu përdorur si simbol i Ndihmës së Parë. Një variant tjetër është një kryq jeshil në një fushën të bardhë, i rekomanduara nga ISO, i cili është ende i njohur gjerësisht si simboli i ndihmës së parë.

Në Gjermani, për shembull, ekziston “Deutsches Grünes Kreuz e.V.” (kryqi jeshil gjerman), i themeluar në vitin 1948, i cili nuk e kufizon veprimtarinë vetëm në shëndetin e njeriut, por gjithashtu përfshin edhe mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve.

Në Kore është selia e Kryqit Jeshil, e quajtur si e tillë që nga viti 1971, dhe biznesi kryesor i të cilit është farmaceutike.

Në Japoni, një flamur me kryq jeshil (Midori-juji) në një fushë të bardhë vendoset shpesh në kantieret e ndërtimit dhe fabrikat për të inkurajuar punëtorët në lidhje me shëndetin dhe sigurinë. Ai gjithashtu shfaqet në stema dhe fasha në krah për të njëjtin qëllim dhe është parë herë pas here si një kryq-brenda-një-kryqi.

 

Share this  

 

 

Çrregullimet e gjumit !

Sleep Disorders! lightbox[Disorders]Sleep Disorders!

 

Çfarë janë çrregullimet e gjumit?

Janë kushtet që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e gjumit. Shkaqet nisin nga zakoni i të ndejturit zgjuar deri tek problemet shëndetësore, të cilat prishin ciklin e gjumit. Në qoftë se nuk ndiheni të shlodhur në mëngjes, këshillohuni me mjekun tuaj. Nëse nuk flini gjumë mjaftueshëm, mund të kthehet në një problem të madh që kërcënon shëndetin dhe sigurinë tuaj.

 

Rreziqet e mungesës së gjumit

Mungesa e gjumit mund të ndikojë mbi pothuajse çdo pjesë të jetës tuaj. Mungesa e gjumit bëhet shkak për aksidentet me makinë, probleme në çift, performancë e dobët në punë, probleme me kujtesën, dhe çrregullime të humorit. Studimet e fundit konstatojnë që çrregullimet e gjumit mund të ndikojnë në sëmundjet e zemrës, obezitetin dhe diabetin.

 

Simptomat e pagjumësisë

Edhe pse simptomat varen nga lloji i pagjumësisë ju mund të:

  • ndjeheni shumë të përgjumur gjatë ditës
  • keni probleme për të fjetur gjumë ose për të qëndruar zgjuar
  • gërhisni
  • keni ndalim të frymëmarrjes, më shpesh ndërsa flini (apnea e gjumit)
  • keni ndjesi të pakëndshme tek këmbët dhe nevojën urgjente për ti levizur (sindromi i këmbëve jo të qeta)

 

Sa orë gjumë ju duhen?

Nevojat për gjumë ndryshojnë nga personi në person, por në përgjithesi rekomandohet:

  • 16 orë për foshnjat
  • 9 orë për adoleshentët
  • 7-8 orë për të rriturit

Disa të rritur ndihen mirë me 5 orë gjumë, ndërkohe ka të tjerë, të cilëve u nevojiten deri në 10 orë gjumë në ditë.

 

Pagjumësia

Është normale që të keni probleme me gjumin një herë në të rrallë, por kur problemi përsëritet çdo natë, atëherë vuani nga pagjumësia. A qëndroni zgjuar për orë të tëra? A zgjoheni shumë herët dhe nuk jeni në gjendje të flini përsëri? A zgjoheni shpesh gjatë natës? Pagjumesia është çrregullim i gjumit, dhe prek një të tretat e të rriturve në një pikë të jetës së tyre.

 

Pagjumësia dhe zakonet e këqija

Në shumë raste, pagjumësia është e lidhur me zakone të këqija para se të shkoni në shtrat. A konsumoni kafe pasdite ose në mbrëmje? A pini duhan ose hani ushqime të rënda gjatë natës? A shkoni në shtrat në orare të ndryshme çdo natë? A flini me televizorin e ndezur?

 

Pagjumësia dhe shëndeti mendor

Problemet e shëndetit mendor të tilla si depresioni, ankthi dhe stresi post-traumatik mund të shkaktojnë pagjumësi. Për fat të keq, disa prej barnave të përdorura për trajtimin e këtyre kushteve gjithashtu mund të shkaktojë probleme me gjumin. Nëse ju mendoni se pagjumësia vjen si pasojë e mjekimit tuaj, konsultohuni me mjekun për të përshtatur trajtimin tuaj në vijueshmëri.

 

Pagjumësia dhe gjendja shëndetësore

Problemet me gjumin shpesh lidhen me probleme shëndetësore si:

  • Artriti
  • Refluksi
  • Dhimbjet kronike
  • Astma
  • SPOK (Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike)
  • Insufiçienca kardiake
  • Probleme me tiroiden
  • Çrregullime neurologjike si insulti, Alzaimeri ose Parkinsoni.

 

Si shkaktarë të tjerë të pagjumësisë mund të përmenden:

  • Shtatzënia, sidomos në tremujorët e parë dhe të tretë;
  • Menopauza, duke qenë se shoqërohet me afshe të pakëndshme;
  • Mosha, burrat dhe gratë janë të predispozuar të kenë probleme me gjumin pas moshës 65 vjeçare;
  • Çrregullimi i orës biologjike, për personat që punojnë me turne si dhe ata që fluturojnë rregullisht.

 

Apnea e gjumit.

 

Apnea e gjumit është një çrregullim serioz i gjumit, i cili shkaktohet prej bllokimit të frymëmarrjes duke e ekspozuar organizmin ndaj një gjendje mungese të vazhdueshme oksigjeni. Ndërprerja e frymëmarrjes disa herë gjatë gjumit, zgjat disa sekonda dhe shkakton kalimin nga një gjumë i thellë në një gjumë të lehtë , si pasojë edhe përgjumje gjatë ditës. Shumë njerëz mund të vuajnë nga kjo sindromë pa e ditur, por personat pranë tyre mund të evidentojnë simptomat të tilla si gërhitjet, vështirësitë në frymëmarrje, që i detyrojnë të flenë me gojën hapur.

 

Sindroma e këmbëve jo të qeta

A keni një ndjesi urgjente për të lëvizur këmbët ose ndjesi të pakëndshme në to, të tilla si një pulsim apo shpim? Shumë njerëz e përshkruajnë sindromin e këmbëve jo të qeta si gjemba ose si një ndjesi zvarritjeje e frikshme e insekteve në këmbë. Kjo ndjesi përkeqësohet gjatë natës duke vështirësur gjumin. Gjithashtu mund të përjetoni edhe një dridhje, e cila mund t’ju zgjojë nga gjumi.

 

Narkolepsia

A e keni të vështirë të qëndroni gjatë ditës pa dremitur pak edhe pas një gjumi të mirë gjatë natës? Nëse vuani nga narkolepsia, nuk mund të keni në kontroll gjumin dhe mund të bini në gjumë papritmas. Shenja të tjera paralajmëruese përfshijnë:

  • Humbja e kontrollit të muskujve me lëvizje e dhridhje të forta
  • Ëndrra – të tilla si haluçinacione që ju zë gjumi apo zgjoheni nga gjumi
  • Ëndrra gjatë dremitjeve
  • Kur zgjoheni, mund të keni ndjesinë sikur nuk mund të lëvizni.

 

Somnambulizmi

A ngriheni nga shtrati dhe endeni kot natën pa e ditur? A informoheni në mëngjes për aventurat e çmendura që keni bërë gjatë natës dhe nuk i mbani mend? Somnambulizmin e gjejmë më tepër tek fëmijët nga mosha 4 deri në 8 vjeç, por mund t’i ndodhë kujtdo.

 

Ditari i gjumit

Nëse mendoni se keni çrregullime të gjumit, këshillohuni me mjekun tuaj. Ai mund t'ju drejtojë disa pyetje mbi oraret e gjumit përgjatë 1-2 javëve, të tilla si:

  • Në çfarë ore flini dhe zgjoheni nga gjumi?
  • Sa orë dhe sa mirë keni fjetur?
  • Sa kohë ju duhet për tu zgjuar?
  • Çfarë keni ngrënë / pirë (sidomos kafeinë dhe alkool), dhe kur?
  • Cili është niveli juaj emocional dhe i stresit?
  • Cilat janë barnat që trajtoheni?

 

Trajtimi

Apnea e gjumit mund të menaxhohet duke vendosur një aparaturë që mban hapur rrugët e frymëmarrjes, nëpërmjet një presioni pozitiv ajri në mënyrë të vazhdueshme. Narkolepsia dhe sindromi i këmbëve jo të qeta mund të trajtohen me ndryshimet e stilit të jetesës dhe mjekimit me barna. Gjithashtu, pagjumësia mund të trjatohet me barna që stimulojnë gjumin.

 

Terapia

Ankthi përkeqëson pagjumësinë, por terapia e njohjes-sjelljes mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve tuaja. Seancat relaksuese dhe ‘biofeedback-u’ qetësojnë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës, muskujt, dhe humorin tuaj. Gjithashtu edhe terapia e bashkëbisedimit mund të qetësojë mendjen tuaj.

 

Këshilla për një gjumë të mirë:

  • Aktiviteti fizik

Ju mund të bëni disa gjëra përpara se të përgatiteni për gjumë, si psh një stërvitje e rregullt (aktivitet fizik). Është më e lehtë të flesh gjumë ose të ndihesh i përgjumur nëse trupi juaj është i lodhur. Por kujdes, lodhja e tepërt vetëm pak orë para gjumit mund të ketë një efekt të kundërt dhe mund t’ju mbajë zgjuar.

 

  • Shmangni ushqimet e dëmshme

Disa ushqime dhe pije mund të jenë arsyeja për një gjumë të keq. Shmangni këto ushqime 4-6 orë para se të flini:

  • kafeina, duke përfshirë kafen, çajin, dhe pijet me gaz (Coca-cola)
  • ushqime të rënda apo pikante
  • alkooli (ai i ndihmon disa njerëz të flenë, por gjithashtu mund të jetë shkaku që të zgjohen herë pas here gjatë gjumit).

 

  • Ushqime të shëndetshme

Konsumoni një ushqim të lehtë në mbrëmje, i cili përmban shumë karbohidrate dhe tretet shpejt. Një vakt me drithëra dhe qumësht ose një kek i vogël, i cili konsumohet të paktën një orë para gjumit, është një zgjedhje shumë e mirë. Gjithashtu, një gotë qumësht i ngrohtë dhe çaj kamomil rrisin temperaturën e trupit tuaj dhe stimulojnë gjumin.

 

  • Hiqni prizat!

A është pjesë e rutinës tuaj të shifni televizor orëve të vona? Sigurisht, është argëtuese, por ajo gjithashtu ju mban zgjuar dhe vigjilent. Të njëjtin efekt mund të kenë edhe të luajturit video-games dhe lundrimi në internet. Fondacioni Kombëtar i Gjumit sugjeron të hiqet televizori dhe kompjuteri nga dhoma e gjumit.

 

  • Rituali para gjumit

Bindeni mendjen dhe trupin tuaj që është koha për pak gjumë me një ritual para tij. Ky ritual mund të përfshijë një dush të ngrohtë, një libër ose teknika relaksimi të tilla si një frymëmarrje e thellë. Gjithashtu është e rëndësishme që të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni çdo ditë në të njëjtin orar, madje edhe në fundjavë. Nëse vazhdoni të keni probleme me gjumin, këshillohuni me mjekun tuaj.

 

 

Share this  

 

 

Paracetamoli dhe Ibuprofeni, përdorimi i tyre tek fëmijët !

Paracetamoli dhe Ibuprofeni, përdorimi i tyre tek fëmijët ! lightbox[Dengue]Paracetamoli dhe Ibuprofeni, përdorimi i tyre tek fëmijët !

 

Paracetamoli dhe Iboprufeni janë dy medikamente cilësore të cilat ndihmojnë në uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve tek fëmijët.

Në farmaci këto medikamente   gjenden në formë shurupi dhe supozitori.

Paracetamol Shurup 120 mg / 5 ml;

Paracetamol Supozitor – 100mg, 125mg, 250mg.

Fasdol (ibuprofen ) – shurup 100mg/5ml

Fasdol Supozitor - 75mg, 150mg.

Të dyja keto medikamente janë antipiretikë dhe analgjezikë, por në ndryshim nga Paracetamoli, Fasdoli (ibuprofeni) është edhe antiinflamator.

Mungesa e aktivitetit antiinflamator të Paracetamolit i përket faktit që Paracetamoli është një inkibues (frenues) i dobët i ciklogjenazës. Gjithashtu ky medikament nuk inkibon aktivitetin e neutrofileve ndryshe nga ibuprofeni. Aktiviteti antipiretik i dedikohet inkibimit të ciklogjenazës – 3(Cox-3). Absorbohet shumë shpejt në traktin gastrointestinal (95-98%); shpërndahet me shpejtësi në lëngun organik dhe metabolizohet në mëlci. Një pjesë shumë e vogël eleminohet me urinën

 (2-3%).

Iboprufeni nëpërmjet inkibimit të enzimes ciklooksigjenaza – 1 ( COX-1) dhe

 ciklooksigjenaza – ( COX-2) , çon në reduktimin e sintezës së prostaglandinave, mediatorët më të rëndësishëm të inflamacionit , dhimbjes dhe hiperpireksisë ( temperaturë e lartë).

Krahasuar me Paracetamolin, Fasdoli ka një kohëzgjatje veprimi më të madhe në organizëm. Kjo është edhe arsyeja e marrjes më rrallë, cdo 6 deri 8 orë jo më shumë se 3 herë në ditë.

Ibuprofeni duke mos qenë selektiv i enzimave ( COX -1 , COX -2) ka si efekt anësor irritimin e stomakut, prandaj këshillohet gjithmonë marrja e tij pas buke.

Paracetamoli është më i lehtë si medikament por marrja e tij për një kohë të gjatë dhe ne doza të mëdha  dëmton mëlcinë .Rekomandohet  marrja e dozave sipas udhëzimit të mjekut ose farmacistit , pirja cdo 4 deri 6 orë dhe jo më shumë se 5 herë në një periudhë 24 orëshe.

 Nëse fëmija në të njëjtën kohë po merr edhe një tjetër mjekim për të shmangur një mbidozë potencialisht fatale duhet të siguroheni që medikamenti tjetër të mos përmbajë paracetamol.

Në temperatura të larta mbi 38.5 °C  rekomandohet marrja e Fasdolit ( shurup ose supozitor ), ndërsa në temperatura më të ulëta këshillohet marrja e Paracetamolit gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekut ose farmacistit.  

 

Share this  

 

Gjashtë këshilla për të shmangur gabimet gjatë mjekimit me barna !

Këshilla për të shmangur gabimet gjatë mjekimit me barna! lightbox[Keshilla]Këshilla për të shmangur gabimet gjatë mjekimit me barna!

  

  1. Sigurohuni për emrat e barnave tuaja. Nuk duhet të mjaftoheni vetëm nga receta që ju përshkruan mjeku juaj por duhet të siguroheni për emrat e barnave që janë përshkruar në recetë në mënyrë që të evidentoni nëse farmacisti ju jep diçka të ndryshme. Gjithashtu, edhe në rastet kur vazhdoni mjekimin për një kohë të gjatë me të njejtat barna, shikojini ato para se të largoheni nga farmacia, për t'u siguruar se keni marrë të njëjtin mjekim me të njëjtin paketim, ngjyrë, formëdozë dhe cilësi me mjekimin e mëparshëm. Nëse vëreni ndonjë ndryshim, pyesni farmacistin në lidhje me të. "
  2. Bëni pyetje për përdorimin e barit. "Është e rëndësishme të zgjedhni një mjek dhe farmacist që ju ben të ndiheni rehat me të, në mënyrë që të mundeni të bëni pyetje lirshëm. Ja disa prej pyetjeve që duhet të bëni:

Çfarë duhet të bëj nëse harroj një dozë?

A duhet ta marrë këtë bar para, gjatë, ose pas ushqimit?

Çfarë intervali kohor duhet respektuar midis dy dozave?

Cilat janë efektet anësore që mund të më shfaqen?

A ka ndonjë medikament, ushqim, apo aktivitet që duhet të shmang gjatë përdorimit të këtij mjekimi?

Barnat duhet të ruhen në frigorifer apo në temperaturën e dhomës?

  1. Duhet te dini se çfarë është bari që po përdorni. Stephen Setter, profesor i asociuar i farmakoterapisë në Washington State University në Spokane, tregon rastin e njërës prej pacienteve të tij, e cila gabimisht mendonte se barnat për trajtimin e glaukomës, ishin për trajtimin e dhimbjes së kokës. "Pra, ajo ishte duke i marrë barnat për trajtimin e glaukomës vetëm kur kishte dhimbje koke, ndërkohë që ato barna duhet të merren çdo ditë. Është e rëndësishme të kuptoni mjekimin tuaj, në mënyrë që ta përdorni atë kur duhet si edhe të jeni të aftë të raportoni mjekimin që ju jeni duke përdorur dhe problemet tek mjeku dhe farmacisti juaj.
  2. Lexoni me kujdes etiketat e barnave dhe ndiqni udhëzimet. Para se të përdorni një bar, ju duhet të dini kur duhet ta përdorni, sasinë që duhet të përdorni dhe kohën që duhet ta përdorni atë.
  3. Mbani të informuar të gjithë personelin mjekësor në lidhje me barnat tuaja dhe shtesat ushqimore dietike (përfshirë vitaminat dhe barnat bimore). Bëjeni zakon të tregoni listën tuaj të barnave në çdo vizitë mjekësore që kryeni tek mjeku juaj ose në qendra të ndryshme shëndetësore, spitale, etj... Kjo gjë do t’ju ndihmojë të siguroheni që nuk jeni duke u trajtuar njëkohësisht me dy barna që kanë të njëjtin përbërës aktiv, ose jeni duke përdorur barna që mund të bashkëveprojnë me njera tjetrën.
  4. Mbani listën e barnave tuaja dhe shtesave ushqimore gjithë kohën me vete si edhe jepini një kopje të asaj liste një familiari apo miku tuaj ose bejani të ditur vendin në të cilin e keni vendosur në shtëpinë tuaj, që në rast urgjence, ai person të jetë në gjendje të informojë mjekët mbi barnave dhe shtesat ushqimore që ju përdorni.

 

Share this  

 

More Articles ...

  1. Menopauza