Dita Botërore e Shëndetit 2016 lightbox[whdalb]Dita Botërore e Shëndetit 2016

 

Dita Botërore e Shëndetit 2016

 Dita Botërore e Shëndetit mbahet çdo vit në 7 prill, për të shënuar përvjetorin e themelimit të OBSH-së, në vitin 1948. Çdo vit zgjihet një temë që nxjerr në pah një fushë prioritare të shëndetit publik.

Tema për Ditën Botërore të Shëndetësisë 2016 do të jetë diabeti, një sëmundje jo ngjitëse që ndikon drejtpërdrejt në miliona njerëz në nivel global, kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

 

Diabeti është një sëmundje serioze kronike që ndodh kur pankreasi nuk prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive sasinë e prodhuar. Insulina është hormoni që rregullon nivelin e sheqerit (glukozës) në gjak. Ekzistojnë tre lloje kryesore të diabetit:

  1. Diabeti tip I, që është më i shprehur tek fëmijët dhe adoleshentët;
  2. Diabeti tip II, i cili është më i shpeshtë tek të rriturit dhe që lidhet me obezitetin apo mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik, kequshqyerjen, nivelin e lartë të kolesterolit/triglicerideve, hipertensionin; alkoolin dhe duhanpirjen;
  3. Diabeti gestacional, i shkaktuar gjatë shtatzënisë dhe që ndodh në 10% të shtatzënive në nivel global.

Rritja e nivelit të sheqerit në gjak, një efekt i zakonshëm i diabetit të pakontrolluar, mund të shkaktojë dëmtime të rënda të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave, dhe nervave. Nëse diabeti nuk mbahet nën kontroll mund të çojë në komplikacione të rënda të tilla si:

  • Sëmundje kardiovaskulare
  • Neuropati
  • Retinopati
  • Sëmundje të veshkave
  • Sëmundje vaskulare periferike, amputim

 

 Parandalimi

Për të ndihmuar në parandalimin e diabetit tip II dhe komplikacioneve të shkaktuara prej tij, njerëzit duhet të:

  • kontrollojnë dhe të ruajnë peshën optimale trupore;
  • kryejnë aktivitet fizik, të paktën 30 minuta në ditë;
  • ushqehen shëndetshëm, duke reduktuar konsumimin e sheqernave dhe yndyrnave të ngopura;
  • shmangin pirjen e duhanit - duhanpirja rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

 

 

 

Share this