Dita Botërore e Autizmit 2017
lightbox[waadalb]Dita Botërore e Autizmit 2017
Dita Botërore e Autizmit 2017
2 prilli 2017 shënon 9 vjetorin e Ditës Botërore të Autizmit. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e njerëzve në mbarë botën në lidhje me individët me autizëm, veçanërisht fëmijët.
Çfarë është Autizmi?
Çrregullimet e Spektrit Autik (ÇSA) janë çrregullime neurologjike komplekse, të njohura thjesht si autizëm.
Në mënyrë të veçantë, autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga deficite serioze në ndërveprimin shoqëror dhe komunikim, si dhe nga modelet e sjelljeve anormale (dmth përsëritjes së lëvizjeve të veçanta apo prirjes për t'u fokusuar në objekte të caktuara). Autizmi është i dukshëm në vitet e para të jetës së fëmijës dhe simptomat mund të variojnë nga shumë të lehta në të rënda. Shkaku i autizmit është ende i panjohur.
Fakte për autizmin nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve:
- Çrregullimet e Spektrit Autik prekin 1 në 68 fëmijë në Shtetet e Bashkuara
- Djemtë kanë 5 herë më shumë probabilitet për t'u prekur nga autizmi se sa vajzat (afërsisht 1 në 42 djem)
- Autizmi mund t’i prekë në mënyrë të barabartë të gjitha grupet racore, etnike dhe sociale.
- Vëllai dhe motra e një fëmije me autizëm ka 2% -18% mundësi për të patur autizëm.
- Sipas kërkimeve shkencore, diagnostikimi i autizmit në moshën 2 vjeçare mund të quhet i saktë, i vlefshëm, dhe i qëndrueshëm.
Si bëhet diagnostikimi i autismit?
Është e rëndësishme të theksohet se nuk ka vetëm 1 test për autizmin. Një diagnostikim për autizmin është i bazuar në vëzhgime klinike dhe në testimin e një ose më shumë testeve të standardizuara.
Përveç këtyre, duhen marrë në konsideratë intervistat me prindërit dhe historiku mjekësor i familjes.
Profesionistët që mund të diagnostikojnë më mirë autizmin janë psikologët, mjekët psikiatër, mjekët pediatër të specializuar, dhe patologët.
Si kuptohet nëse fëmija është autik?
Vetëm profesionistët mund të japin një diagnozë të saktë nëse një fëmijë është autik, por gjithashtu mund të evidentohen disa shenja nga prindi dhe mjeku pediatër, të cilat duhet të diagnostikohen më tej.
Treguesit e mundshëm të individëve me autizëm:
- Nuk belbëzojnë ose nuk nxjerrin asnjë tingull deri 12 muajsh.
- Nuk bëjnë asnjë gjest deri 12 muajsh
- Nuk thonë asnjë fjalë të vetme deri 16 muajsh
- Nuk kombinojnë dot dy fjalë deri 24 muajsh
- Nuk përgjigjen kur i thërret në emër
- Kanë humbje të aftësive artikuluese apo sociale në çdo moshë
- Nuk dinë të luajnë me lodra
- Tërhiqen nga një lloj i veçantë lodre
- Nuk buzëqeshin
- Në disa raste duket se e kanë dëgjimin të dëmtuar
Trajtimi i autizmit
Ende nuk ka një trajtim të caktuar për autizmin, por ekzistojnë disa mënyra të përshtatura trajtimi dhe edukimi që mund të reduktojnë disa nga sfidat që lidhen me këtë çrregullim. Trajtimet apo ndërhyrjet, sidomos në fillim të jetës së fëmijëve me autizëm, mund të ndihmojnë në reduktimin e sjelljeve të pakontrolluara si dhe edukimi i hershëm i ndihmon këta fëmijë të aftësohen për të qënë të pavarur.
Nuk ka një simptomë apo sjellje që identifikon të gjithë individët me autizëm, ashtu si nuk ka një trajtim të vetëm që mund të jetë efektiv për të gjithë. Në varësi të nevojave të fëmijës autik, mund të aplikohen terapi të tilla si: terapia e të folurit, terapi profesionale, terapi e integrimit ndijor si dhe të aplikohet analiza e sjelljes.
Shumica e profesionistëve janë dakord se ndërhyrja e hershme është shumë e rëndësishme dhe se një pjesë e konsiderueshme e individëve me autizëm i përgjigjen mirë programeve të strukturuara dhe të specializuara. Një program efektiv trajtimi për një fëmijë ose të rritur me autizëm:
- ndërton interesat e tyre;
- ofron një orar të paracaktuar;
- mëson detyrat si një seri hapash të thjeshtë;
- angazhon në mënyrë aktive vëmendjen në aktivitete të mirë strukturuara;
- siguron përforcim të rregullt të sjelljes.
Angazhimi i prindërve është përcaktuar si një faktor i rëndësishëm në suksesin e trajtimit.
Për të ndihmuar maksimalisht në trajtimin e fëmijëve me autizëm apo me aftësi të tjera të kufizuara të ngjashme, Shoqatat e Autizmit ofrojnë kurse trajnimi për prindërit ose kujdestarët e fëmijëve autik për të plotësuar terapinë e trajtimit të tyre.