Dita Botërore e Tuberkulozit 2016
lightbox[Tuberkulozi]Dita Botërore e Tuberkulozit 2016!
Dita Botërore e Tuberkulozit është një event që zhvillohet në të gjithë botën dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi tuberkulozin dhe përpjekjet për të parandaluar dhe trajtuar këtë sëmundje. Ky event mbahet më 24 mars të çdo viti dhe promovohet nga organizata të ndryshme të tilla si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në ditën Botërore të Tuberkulozit këto organizata zhvillojnë evente dhe aktivitete të shumta. Aktivitetet e fushatës përfshijnë:
- Diskutimet në grup që organizohen për të gjetur mënyrat për të parandaluar tuberkulozin;
- Ceremonitë e falenderimit ose aktivitete të tjera për të nderuar jetën dhe veprën e atyre që ia kushtojnë jetën parandalimit dhe luftës kundër tuberkulozit;
- Ekspozita fotografike që ekspozojnë imazhe për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën mbi tuberkulozin.
- Evente bamirësie për të mbledhur fonde për kontrollin e sëmundjes (së tuberkulozit) në vendet që kanë nevojë për ndihmë.
Tema e Ditës Botërore të Tuberkulozit për këtë vit është: "Sëbashku për t’i dhënë fund Tuberkulozit"
Tuberkulozi, është një sëmundje infektive bakteriale. Në mbrëmjen e 24 marsit 1882, Robert Koch, një mjek gjerman dhe shkencëtar, prezantoi zbulimin e tij të Mycobacterium tuberculosis, bakterit që shkakton tuberkulozin.
Tuberkulozi zakonisht prek mushkëritë, por gjithashtu mund të prekë edhe pjesë të tjera të trupit. Ai përhapet nëpërmjet ajrit, gjatë kollitjes apo teshtimave nga personat e infektuar me tuberkuloz. Në shumë raste infeksioni nuk shfaq simptoma dhe njihet si tuberkulozi latent. Rreth 1 në 10 persona me tuberkuloz latent, eventualisht përparon në tuberkulozin aktiv, i cili, nëse nuk trajtohet, vret më shumë se 50% të të infektuave.
Simptomat klasike të tuberkulozit aktiv janë: kolla kronike shpesh herë me gjurmë gjaku, ethe, djersitje natën, humbje në peshë, si dhe simptoma të ndryshme, si pasojë e infektimit të organeve të tjera.
Disa fakte:
- Tuberkulozi (TB) është një prej sëmundjeve infektive që vret më shumë njerëz në mbarë botën.
- Në vitin 2014, 9.6 milion njerëz u sëmurën me tuberkuloz dhe 1.5 milionë kanë vdekur nga kjo sëmundje.
- Mbi 95% e vdekjeve nga tuberkulozi ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe është ndër shkaqet kryesore të vdekjes për gratë e moshës 15 deri në 44 vjeç.
- Në vitin 2014, rreth 1 milionë fëmijë u sëmurën me tuberkuloz dhe 140 000 fëmijë kanë vdekur nga tuberkulozi.
- Tuberkulozi është një nga vrasësit kryesor për njerëzit me HIV pozitiv: në vitin 2015, 1 në 3 persona me HIV vdisnin për shkak të TB.
- Incidencat e tuberkulozit kanë rënë me një mesatare prej 1.5% në vit që nga viti 2000 dhe tani është 18% më e ulët se niveli i vitit 2000.
- Shkalla e vdekjes nga tuberkulozi ka rënë 47% mes viteve 1990 dhe 2015.
- Rreth 43 milionë jetë kanë shpëtuar nga trajtimet edhe pse u diagnostikuan me tuberkuloz mes viteve 2000 dhe 2014.
- ‘T’i jepet fund epidemisë së TB në vitin 2030’ është ndër objektivat kryesore në mbarë botën.